Pages
Saturday, May 17, 2014
Ja çfarë SMS shkëmbyen Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa
Kryetari i Nderit i LDK’së, Fatmir Sejdiu në një njoftim për media ka treguar se ka pasur një ofertë nga Isa Mustafa për takim në lidhje me listën e deputetëve dhe mundësisë së kandidimit të tij për deputete. Por, një takim i tillë nuk ka ndodhur, pasi atë e kishte shtyrë Isa Mustafa. Ndërkohë, Sejdiu kishte shkuar jashtë vendit dhe ishte njoftuar nëpërmjet mediave se emri i tij po lakohet si kandidat për deputet. Ai ka njoftuar se nuk do të jetë kandidat për deputet pasi nuk dëshiron që dikush të hiqet nga lista dhe të futet emri i tij. Më poshtë mund të lexoni të plotë deklaratën e Ish-Presidentit Fatmir Sejdiu Ditët e fundit, emri im është përmendur në medie në kontekste të ndryshme, nëse unë do të jem kandidat i LDK-së në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të mbahen më 8 qershor. Për të sqaruar dhe për të mos lënë vend për keqkuptime dhe keqinterpretime dhe veçmas për të respektuar interesimin e madh të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, se për çfarë në të vërtetë bëhet fjalë lidhur me këtë çështje, do të paraqesë disa fakte në këtë paraqitje time publike. Të hënën, më datë 12 maj, mora një mesazh telefonik (sms) nga z. Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, në të cilin ai theksonte se është i interesuar të takoheshim të nesërmen, pra të martën, për të biseduar lidhur me zgjedhjet. Është kjo koha kur tashmë përfundonte propozimi për kandidatë që bëheshin nga degët e LDK-së, pra një ditë mbasi të mbyllej ky proces. Pavarësisht, nga ky fakt, me vullnetin e mirë ia ktheva përgjigjen se nesër mund të takoheshim. Tek të nesërmen, kur unë pritja se do të saktësojmë kohën e takimit, mora një mesazh tjetër, në të cilin z. Mustafa kërkonte shtyrjen e takimit për të mërkurën. E njoftova se unë do të duhet të udhëtoja jashtë të mërkurën herët në mëngjes dhe nuk do të isha në Kosovë deri të premten vonë, që nënkuptonte se mund të takoheshim kurdo gjatë të martës. Nuk pati një përgjigje pohuese. Kështu edhe ky pretendim për takimin mori fund, ndërsa unë udhëtova sipas itinerarit që e kisha caktuar javë më parë. Ndërkohë, në media, dolën informata herë se unë do të isha e herë se unë nuk do të isha në listë të deputetëve të LDK-së. Të enjten mora një mesazh po nga z. Mustafa ku kërkohej pëlqimi im për të qenë kandidat në listën e LDK-së, pa specifikuar asnjë detaj tjetër. Unë i kërkova atij që të mos përdorej emri im pa biseduar paraprakisht për këtë çështje dhe çështje të tjera me interes për Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke nënvizuar peshën e këtij procesi. Unë jam kthyer në Prishtinë herët në mëngjesin e së shtunës, ndërkohë që në mbrëmjen e së premtes ishin dorëzuar në KQZ listat me emrat e 110 kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet e 8 qershorit, dhe emrat e të 110 kandidatëve ishin bërë publik nga udhëheqja e LDK-së. Me këtë rast nuk dua të merrem edhe me sajesën perfide, që pothuajse në të njëjtën kohë, persona të panjohur pasi ishin futur në mënyrë klandestine në adresën time në Facebook, kishin shpërndarë një deklaratë mashtruese në lidhje me çështjen e bartjes së shamive në shkolla. Falënderoj mediet, të cilat mundësuan që opinioni i gjerë të njoftohej drejtë se fjala ishte për një deklaratë të shpifur. Unë sot kam takuar z. Isa Mustafa, të cilit i kam shprehur qëndrimin tim rreth procesit të kandidimeve për deputetë për zgjedhjet e 8 qershorit. Duke marrë parasysh gjithë këtë proces dhe vënien e emrit dhe autoritetit tim politik dhe intelektual në kontekste joserioze, në mënyrën siç është bërë dhe prezantuar nga lidershipi i LDK-së, si dhe faktin se LDK i ka dorëzuar dhe janë publikuar emrat e 110 kandidatëve, etika ime nuk lejon që akëcili prej tyre të largohet nga lista e publikuar, prandaj unë kam vendosur për të mos qenë pjesë e listës së bërë nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 qershor. Besoj në mirëkuptimin e të gjithë anëtarëve të LDK-së, veçmas të atyre anëtarëve të shumtë të cilët këto ditë më shkruan dhe shprehën interesimin e tyre se çfarë në të vërtetë ndodhte në shtëpinë e tyre politike. Falënderoj edhe për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjerë që më është dhënë dhe më jepet, brenda dhe jashtë, kudo që gjendem në mesin e anëtarëve të Partisë sonë dhe të shumë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Edhe me këtë rast, deklaroj se unë kam qenë pjesëmarrës i Kuvendit themelues të LDK-së më 23 dhjetor 1989, jam dhe do të jem përherë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, një kontribuues aktiv i zhvillimit dhe demokratizimit të saj. Uroj që mundi i gjithë anëtarësisë së LDK-së të kurorëzohet me sukses në këto zgjedhje, sukses të cilit do t’i gëzohesha sinqerisht.
Labels:
Lajme
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment